• Today is: Friday, May 17, 2024

LIRI APO SIGURI?

fakti
April26/ 2020

Politikanët me dëshira sundimi totalitar apo me prirje tiranike, përherë e kanë shfrytëzuar me zgjuarsi këtë dilemë të individit. Historia tregon se regjimet totalitare, me propagandë dhe me dhunë, kanë arritur që, në emër të sigurisë shoqërore, ta asgjësojë lirinë e individit

Nga Bajram KARABOLLI/Tiranë

«Jemi në luftë… Është armik i rrezikshëm që nuk duket… Është bombë që nuk e shikojmë dhe në çdo çast mund ta shkelim…» Plot paralajmërime dhe kërcënime të tilla, dëgjojmë të na thonë, apo e themi edhe vetë, midis nesh, në të mirë të sigurisë tonë. Dhe, duke qenë në dilemën: lirinë apo sigurinë, përballë kësaj të keqeje, ne e harrojmë, e shpërfillim, lirinë. Sepse na kanë bindur që siguria është më e shtrenjtë se sa liria.
Aty nga fillimi i viteve ’90 të shekullit që shkoi, rastësisht takoj një italian, ithtar të fashizmit, gjë më habiti se si mundej që në një vend aq demokratik sa Italia, ende të kishte simpatizantë të diktaturës fashiste. Duke mburrur fashizmin, midis të tjerave më tha: «Vetëm në kohën e Duçes u zhduk Mafia te ne. Vetëm gjatë kohës së fashizmit italianët ishin të sigurt.»
Ndërsa këtu (eh këtu!), përditë dëgjojmë ithtarë të komunizmit që thonë: «Sot nuk ka fare siguri. Në kohën e shokut Enver, ishim të sigurt…»

Dhe individi vihet përpara dilemës: liri apo siguri?
Politikanët me dëshira sundimi totalitar apo me prirje tiranike, përherë e kanë shfrytëzuar me zgjuarsi këtë dilemë të individit. Historia tregon se regjimet totalitare, me propagandë dhe me dhunë, kanë arritur që, në emër të sigurisë shoqërore, ta asgjësojë lirinë e individit.
Përherë këtë dilemë pushtetarët e këqij, të korruptuar edhe kriminelë, e shfrytëzojnë për interesat e tyre. Ata e dinë mirë se duke u frikësuar me një gogol, individi e harron lirinë. Qytetari i trembur nga gogoli kërkon siguri dhe jo të drejta ligjore. Në këtë rast, të drejtat dhe privilegjet mbetet t’i gëzojnë vetëm miqtë dhe anëtarët e familjes të pushtetarëve. Atëherë, demokracia është e rreme, sepse paniku e ka kthyer qytetarin e lirë në skllav.
Pastaj regjimi autokrat, me lehtësi, i shtin në dorë mediat, përmes të cilave vetëlëvdohet para gjithë botës se, për shpëtuar shtetasit e vet nga një e keqe e madhe, ka marrë masa të rrepta sigurie, ndërkohë që ia ka arritur një synimi vrastar, grabitjes së lirisë.
Pasi ka përhapur panikun e gogolit, u vë shtetasve një rrip sigurimi, siç u vihet edhe qenve.
Një francez (eh, këta francezët!) ka lënë një vizatim domethënës lidhur me përballjen e lirisë me sigurinë. Shikojeni!

Fotografia e Bajram Karabolli